Published August 24, 2023
Categories: Për Shkencë
Publikuar nga: R L
Një ilustrim i uljes së Chandrayaan-3 në Hënë

Për Ty - India mund të jetë një vend me popullsi të madhe e të varfër, ekonomi të dobët, infrastrukturë jo të mirë, e mbi të gjitha, një vend ku dhuna ndëretnike dhe ndërfetare ka arritur kulmin muajve të fundit.

Megjithatë, një gjë për të cilën India ka pasur sukses, është gara në hapësirë.

India tani është bërë vendi i parë që ka kryer ulje të suksesshme në polin jugor të Hënës, vendin ku shkencëtarët besojnë se mund të ketë ujë të ngrirë dhe rezerva të tjera natyrore.

Vetëm tri vende të tjera kanë bërë ulje të suksesshme në Hënë; Shtetet e Bashkuara, ish-Bashkimi Sovjetik dhe Kina, por asnjëra deri më tani nga këto tri shtete nuk ka arritur të bëj ulje afër polit jugor.

Anija kozmike Chandrayaan‑3 është e dyta e Indisë që u nis për në Hënë, me tentativën e parë që shkoi pa sukses, kur në vitin 2019 misioni Chandrayaan‑2 i ISRO vendosi me sukses një orbiter, por tokëzuesi i tij u rrëzua.

Chandrayaan‑3 pritet të mbetet funksional për dy javë, duke kryer një seri eksperimentesh duke përfshirë një analizë spektrometrike të përbërjes minerale të sipërfaqes hënore.

India po planifikon gjithashtu të nisë një mision në shtator për të studiuar Diellin.

Ulja pritet të rrisë reputacionin e Indisë për inxhinierinë hapësinore me kosto konkurruese. Chandrayaan‑3 u krijua me një buxhet prej rreth 74 milionë dollarë.