Published August 30, 2023
Categories: Për Tokë
Publikuar nga: R L
Greqi zjarret

Për Ty — Një zjarr në një pyll të Greqisë është vlerësuar si zjarri më i madh i regjistruar ndonjëherë në shtetet e Bashkimit Evropian, ndërkohë që blloku po mobilizon pothuajse gjysmën e krahut ajror zjarrfikës për ta shuar atë.

11 aeroplanë dhe një helikopter nga flota e BE-së janë dërguar për të ndihmuar Greqinë kundër zjarrit në veri të qytetit të Aleksandoupolit, së bashku me 407 zjarrfikës.

Shërbimi i mbrojtjes civile të BE-së tha se zjarri kishte djegur më shumë se 810 kilometra katrorë tokë – zonë kjo më e madhe se Nju-Jorku.

“Ky zjarr është më i madhi në BE që nga viti 2000, kur Sistemi Evropian i Informacionit të Zjarrit në Pyll (EFFIS) filloi regjistrimin e të dhënave”, tha shërbimi.

Shërbimi zjarrfikës i Greqisë tha se zjarri ishte ende jashtë kontrollit në Parkun Kombëtar Dadia të rajonit verilindor, një vend i populluar me zogj të shumtë grabitqarë.

Zjarri që filloi më 19 gusht ka vrarë 20 persona, prej tyre të paktën 18 emigrantë dhe refugjatë, trupat e të cilëve u gjetën në një rajon që përdoret shpesh si pikë hyrëse nga Turqia.

Autoritetet paralajmëruan se mund të gjenden më shumë trupa të vdekur kur të shuhen flakët, pasi Evros është një vendkalim popullor në BE për mijëra emigrantë dhe refugjatë çdo vit.

BE-ja gjithashtu ka kërkuar një flotë prej 28 avionësh – 24 aeroplanë për hedhjen e ujit dhe katër helikopterë – nga vendet anëtare për të ndihmuar në luftimin e flakëve në bllok dhe fqinjëve aty pranë.

Familja e madhe evropiane po punon për krijimin e një krahu ajror të pavarur, prej 12 avionësh, i cili do të jetë plotësisht në funksion deri në vitin 2030.

Greqia ka vuajtur nga zjarre të shumta këtë verë, të cilat qeveria ia atribuon ndryshimeve klimatike.

Zjarri më vdekjeprurës i regjistruar në Greqi la të vdekur 104 njerëz afër Athinës në vitin 2018.