Published September 14, 2023
Categories: Për Sport
Publikuar nga: R L
Kosove Rumani

Për Ty — Shtëpia evropiane e futbollit, UEFA, ka ngritur gjashtë akuza ndaj kombëtares së Rumanisë, për shkak të thirrjeve raciste të tifozëve romunë që bënë që ndeshja të shtyhet për rreth 50 minuta.

Federata e Futbollit të Rumanisë, krahas dënimit nga UEFA, po ashtu pritet të marrë edhe një gjobë të majme.

Akuzat për të cilat ngarkohen rumunët janë: Mesazhe provokuese me karakter fyes (pankarta të paligjshme, jo vetëm “Kosova është Serbi”, por edhe “Bessarabia është Rumania”), sjellje raciste, ndezje të fishekzjarrëve, hedhje të gjësendeve në fushë dhe bllokim të zonave të qasjes publike.

Sipas gazetave rumune, tri akuzat e para do të ngarkohen me dënime të ashpra nga UEFA.

“Tri të parat janë më të rrezikshmet për ne. Nëse shpallen fajtorë, rrezikojmë të luajmë me dyer të mbyllura, pa spektatorë, kundër Andorrës më 15 tetor, madje edhe Zvicrës më 21 nëntor, ndeshjen e fundit të kampanjës për Kampionatin Evropian në Gjermani. Kosovarët do të donin të zbatonin në mënyrë ekstreme nenin 14 të rregullave të UEFA‑s, që lidhet me racizmin, dhe të konsideronin mjetin e fundit, rezultatin zyrtar 0:3 në tavolinë”, ka shkruar gazeta rumune.

Ndërkohë, Federata e Futbollit të Kosovës (FFK), nëpërmjet një reagimi ka bërë të ditur se krahas UEFA‑s, do të ankohen edhe në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv (CAS) për brohoritjet nacionaliste, pankartat dhe gjuhën e urrejtjes të shprehur nga tifozët e kombëtares së Rumanisë.