Published October 17, 2023
Categories: Për Rajon & Botë
Publikuar nga: R L
Gaza hospital

Për Ty — Figura ndërkombëtare kanë ngritur zërin për të dënuar sulmin vdekjeprurës në Spitalin Arab Baptist Al-Ahli të Gazës.

Kryeministri kanadez Justin Trudeau e quajti sulmin ajror “të tmerrshëm dhe absolutisht të papranueshëm”.

Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan tha se goditja e një spitali tregon se sulmuesi “nuk i ka vlerat më themelore njerëzore”.

Ministria e Jashtme egjiptiane tha gjithashtu se “dënon në termat më të ashpër” sulmin në spital, duke e quajtur atë “një shkelje serioze të dispozitave të ligjit ndërkombëtar dhe humanitar”.

Tedros Adhanom Ghebreyesus, drejtori i përgjithshëm i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, tha se ai “dënon fuqishëm” bombardimin.

Ministria e Jashtme e Jordanisë gjithashtu dënoi ashpër sulmin, ndërsa Irani e quajti atë një “krim të egër lufte”.

Ministria e Jashtme në Katar e cilësoi atë një “përshkallëzim të rrezikshëm”.

Presidenti i Autoritetit Palestinez Mahmoud Abbas ka anuluar një takim të planifikuar me Joe Biden pas sulmit në një spital në Gaza që raportohet se ka vrarë qindra, tha një zyrtar i lartë palestinez.

Takimi do të zhvillohej në Jordani gjatë vizitës së presidentit amerikan në Lindjen e Mesme që fillon të mërkurën.

Zyrtari palestinez tha se Abbas po kthehej në Ramallah, selia e qeverisë së tij në Bregun Perëndimor të pushtuar.